PortaliForumPytësoriRegjistrohuidentifikimi

Share | 
 

  Sistemi i suksesit

Shko poshtë 
AutoriMesazh
xhemajl



Numri i postimeve : 42
Pikët : 117
Reputation : 1
Join date : 29/02/2012

MesazhTitulli: Sistemi i suksesit   Thu Apr 26, 2012 9:16 am

Rëndësi të madhe duhet kushtuar qëndrimit optimist në jetë. Kjo është e nevojshme jo vetëm që të jemi përherë të vullnetshëm, në mënyrë që smira dhe pakënaqësia të mposhten shpejt, por në radhë të parë që t’u përgjigjemi ligjeve të mendimeve. Mendimet, ç’është e drejta, janë shkaku kryesor i suksesit.
Mendimet e mëdha, të fuqishme, të cilat e mbisundojnë ndjenjën, bëjnë të na drejtojnë dhe të na udhëheqin, të na cytin drejt ngadhënjimit ose drejt shkatërrimit.
Mendimet këtu e kanë kuptimin e përfytyrimeve, do të thotë të figurës shpirtërore, që krijohen qoftë me anë të ndikimit të jashtëm, qoftë me anë të mendimit tonë. Ato mund të krahasohen me qenie të cilat përmes përkushtimit dhe kujdesit i ngjallim dhe të cilat sipas qëllimit të vet ndikojnë në proceset shpirtërore në tru, me ç’rast ose i prishin ose i përparojnë.
Vullneti kryesisht është sundimtar i atyre përfytyrimeve. Gjatë gjithë kohës që ai vigjilon mbi të nënshtruarit e vet, pa lejen e tij nuk mund të shfaqet asnjë përfytyrim. Ndërkaq, nëse nuk vigjilon apo nëse me fuqinë e vet nuk bën asgjë, atëherë lehtë mund të ndodh e kundërta.
Ashtu siç kemi thënë, përfytyrimi e udhëheq trupin dhe ndikon në të atëherë kur e sundon emocioni. Kur ndodh ky rast, vullneti privohet nga fuqia e vet dhe përfytyrimi, kur të jetë fare i mundshëm, bëhet realitet. Ekzistojnë dy lloje përfytyrimesh: pozitive dhe negative. Derisa pozitivet krijojnë suksesin, lumturinë dhe shëndetin, negativet sjellin sëmundjen, pakënaqësinë, gabimet dhe dështimet.

Kur mendohet, pra pozitivisht?
Pozitivisht mendohet kur njeriu nuk ankohet në pengesat dhe në pakënaqësitë, nëse nuk merr frymë për shkak të tyre, siç vepron sot shumica e njerëzve, nëse frikën nga sëmundja e dëbon nga zemra e vet dhe vetes i thotë vazhdimisht se çdo gjë do të bëhet mirë dhe se çdo gjë që dëshiron ta arrish - do të plotësohet domosdo.

E kur mendohet negativisht?
Kur çdo gabim merret si fillim i shkatërrimit vetjak, kur vazhdimisht mendohet se vetëm të tjerët kanë suksese, kurse vetveten e konsideron vetëm si fatkeq, të cilit çdo gjë i vete mbrapsht, kur tërë ditën e lume nuk di të punojë gjë tjetër, përpos të mendojë për dertet dhe dhembjet e veta.
E kuptoni, pra, pse i jap kaq rëndësi qëndrimit të drejtë në jetë?
Secili është farkëtues i fatit të vet; njeriu atë që e mbjell, atë gjithsesi edhe do ta korrë.
Po t’i kemi me bollëk përfytyrimet e shëndetit, do të jemi të shëndosh; po t’i kemi me bollëk përfytyrimet e fuqisë dhe të guximit, mund të jemi të fuqishëm dhe të guximshëm; po t’i kemi me bollëk përfytyrimet e vetëbesimit, do të jemi të arsyeshëm dhe të qetë në punën tonë.
E dini, pra, tashti pse kam thënë se duhet t’i besoni madhështisë sonë? Sepse, vetëm në këtë mënyrë mund të bëhemi të mëdhenj.


Ç’mendojmë të bëhemi, të tillë edhe do të jemi, asgjë tjetër!

Nëse mendoni se kurrë nuk do të arrijmë asgjë, atëherë vërtet kurrë asgjë nuk do të arrijmë; nëse megjithatë mendojmë se domosdo do të krijojmë atë që dëshirojmë, atë edhe do ta arrijmë me siguri.
Prandaj të krijojmë kushte shpirtërore të suksesit, të mendojmë vetëm pozitivisht.



Si të bëheni fare pozitivë

Pranoj se kjo është më e lehtë të thuhet sesa të realizohet, sepse rëndom ndodh kështu: njeriu sa më shumë të përpiqet të mendojë pozitivisht, atë me shumë e ndien kur shfaqen mendimet negative. Pse ndodh kështu? Fjala është mu për atë që e kemi thënë më parë: emocionet ka kohë që ndodhen në pushtetin e mendimeve negative, gjë që bën të shkatërrojë çdo përpjekje të vullnetit rreth synimeve të tij për të pasur vetëm mendime pozitive.

E si ndodh kjo?
Fare e qartë se me anë të edukimit përmes ndikimeve të ndryshme sikundër edhe me anë të përvojës së deritanishme jetësore brenda njeriut janë zgjuar frika dhe brengosja. Natyra e njeriut bën që ai, mundësisht, përpiqet t’i evitoj nga vetja të gjitha pengesat dhe pakënaqësitë. Porse, nëse tashmë ka fituar përvojë të keqe, atëherë ajo i mbetet e ngulitur në kujtesë dhe për këtë shkak më vonë shfaqet shpesh frika nga përjetimi i tillë apo i ngjashëm me të. E frika është bazë e përshtatshme për përfytyrimet negative.
Është gjë qenësore dhe karakteristik se përfytyrimet që e sundojnë trupin nuk është e thënë që përherë të arrijë në vetëdije. Ato veprojnë dhe shpesh shfaqen, kurse njeriut as që i shkon në mendje se ato ekzistojnë fare. Po të vështrojmë fushën e veprimit të tyre, do të arrijmë deri te ndërdija, ku kanë arritur përfytyrimet.
Ndërdija për të cilën kam folur shpeshherë është pjesë e unit tonë, i cili vepron fshehurazi, ekzistimi i të cilit konstatohet me anë të manifestimeve të tij përmes trupit. Aty ndodhin të gjitha proceset që janë të domosdoshme për realizimin e përfytyrimeve. Aty lindin të gjitha nxitjet e pavetëdijshme shpirtërore dhe trupore. Aty është qendra e fuqisë që rregullon funksionet e gjithmbarshme të organizmit dhe që e mban trupin gjallë. Dhe nëse ajo ndërdije vepron në mënyrë fare të pavarur, ajo në pjesën më të madhe i nënshtrohet vetëdijes dhe në rrethana të caktuara vepron sipas vullnetit të vet apo të huaj; në të, pra, mund të bëhet ndikim në veprimin e saj. E mjet i këtij veprimi janë përfytyrimet e përmendura të cilat në ndërdije mund të arrijnë me pajtimin apo pa pajtimin tonë.
Tashmë siç e dini përfytyrimet krijohen me anë të mendimeve ose me anë të ndikimit të jashtëm. Në rastin e parë përfytyrimet janë kryesisht figura të kujtesës dhe jo aq të rëndësishme. Vetëm atëherë kur të mbahen në vetëdije me vëmendje dhe kur ta kenë bërë për vete ndjesinë ato depërtojnë në ndërdije, këtë herë me pajtimin tonë. Me këtë rast është e rëndësishme që përfytyrimet e nxitura me anë të mendimit rëndom zhduken vetvetiu, porse në raste të jashtëzakonshme ndodh që qëllimisht, përmes koncetrimit, të shkaktohen në vetëdije.
Nëse përfytyrimet krijohen me anë të ndikimit të jashtëm, kjo gjë ndodh përmes veprimit shqisor (të parit, të dëgjuarit, etj.). Kur ndodh kjo dhe kur ekziston vullneti, atëherë përfytyrimet fare lehtë do të shfaqen në vetëdije, duke supozuar se nuk është fjala për përfytyrime të tilla të cilat kaherë kanë mbisunduar ndjenjat, para se të jenë nxitur nga veprimi shqisor. Atëherë, kuptohet, me anë të vullnetit vështirë të bëhet punë me to.
Nëse vullneti nuk merr kurrfarë qëndrimi negativ ndaj përfytyrimeve që janë shkaktuar me anë të ndikimit të jashtëm, atëherë ato, meqë nuk hasin në kurrfarë pengesash, menjëherë shkojnë në ndërdije, në mënyrë që aty, nëse janë të fortë sa duhet, të zhvillojnë veprimin e tyre. Me këtë rast kemi të bëjmë me sugjestionin (ndikimin). Ndikimi i ndërdijes bëhet me këtë rast edhe pa pëlqimin tonë, duke përjashtuar, kuptohet, sugjestionin e vetëdijshëm.
Shembulli (modeli) edhe këtu është mësuesi më i mirë. Ta themi këtë figurativisht: këto shqyrtimet e fundit i kemi bërë me anë të konstatimit se mendimi pozitiv është i pamundshëm, apo të paktën tepër i vështirë, nëse përfytyrimet negative dominojnë, sado që të bëjë përpjekje vullneti. Si shkak kryesor theksohet frika, të cilën përfytyrimit negativ ia ofron pushteti mbi trupin. Që të jem më i qartë do t’ju përkujtoj edhe një herë se secili përfytyrim është i fortë dhe që gjendet në kufijtë e së mundshmes, bën të realizohet, do të thotë me anë të vetëdijes ia detyron organizmit vullnetin e vet. Ai vullnet i përfytyrimit e bën trupin e tillë çfarë vetë përfytyrimi kushtëzohet shpirtërisht, qoftë ai pozitiv, qoftë ai negativ. Nëse, ta zëmë, përmbajtja e përfytyrimit përmban shtangimin e dorës, ta marrim vetëm këtë rast i cili është fare i kuptueshëm, atëherë ky shtangim dore edhe do të ndodhë, do të thotë ai të cilin e mbisundon përfytyrimi i tillë, nuk do të mund të bëjë me dorë kurrfarë lëvizjesh.
Kurdoherë që të jetë fjala për dukuritë thjeshtë nervoziste, kjo gjë kuptohet lehtë, porse edhe dukuritë organike mund të shkaktohen me anë të përfytyrimeve, siç do ta shihni këtë më vonë.
Vazhdon...
Shkruan: Oskar SHELBAH
Mbrapsht në krye Shko poshtë
xhemajl



Numri i postimeve : 42
Pikët : 117
Reputation : 1
Join date : 29/02/2012

MesazhTitulli: Re: Sistemi i suksesit   Mon May 14, 2012 8:57 am

Tashti do ta konstatojmë se a mund të bëhet fare shtangimi i dorës me anë të përfytyrimit. Si shembull i mirë për këtë është agorafobia. Kush lëngon nga kjo, organikisht është fare i shëndosh, mund të ecë dhe të qëndrojë sa t’ia dojë qejfi, pa farë vështirësie, deri atëherë kur nuk do të detyrohet të kapërcejë ndonjë rrugë, shesh apo vend. Atëherë nervat papritmas nuk dëgjojnë më, zemra fillon të rrahë me forcë, gjunjët dridhen, djersët gufojnë nga të gjitha vrimat dhe shtangimi, do të thotë pazotësia e të ecurit, është i paevitueshëm. Në çfarë mënyre? Nga ndërdija vepron ndikimi i përfytyrimit negativ: prototipi shpirtëror i agorafobisë.
I sëmuri, të shumtën për shkak të rrethanave të jashtme, e shpesh edhe për shkak të ngacmimit të tepërt të nervave, dikund ka përjetuar dërrmim të forcës së vetë. Kjo rrethanë ka krijuar frikë nga përsëritja dhe në ndërdije ka fiksuar besnikërisht atë dërrmim si përfytyrim, i cili pastaj shfaqet dhe vepron vazhdimisht gjithsaherë që individi i ngarkuar me atë sëmundje të gjendet në pozitë të ngjashme, sikundër me rastin kur e ka lëshuar fuqia herën e parë. Edhe pse gati të gjithë të sëmurët që lëngojnë nga agorafobia e dinë mirë se kanë trup të shëndetshëm, ata pandërprerë shfaqin bindjen se është marrëzi të kesh frikë ta kapërcesh rrugën, megjithatë ajo frikë shfaqet rregullisht. Nëse njerëzve të tillë u thoni: “Edhe pse nuk e kapërceni, ju jeni të shëndosh”, atëherë fillojnë të ankohen si fëmijë hallpakë dhe flasin me duar të kryqëzuara: “Paj unë dëshirojë, por nuk mundem!”.

Ndjenja më e fortë se vullneti

Ky konstatim është dëshmia më e mirë e dobësisë së vullnetit, nëse ndjenjën e mbisundon një përfytyrim, sepse ata për të cilët është fjala nuk thonë vetëm se nuk munden, por ata këtë gjë edhe e ndiejnë dhe mu për këtë shkak se ndiejnë në këtë mënyrë, përfytyrimi negativ ka mundësi të ushtroj një ndikim të përgjithshëm në trup.
Ashtu siç shfaqen dukuritë e agorafobisë, po ashta parimisht krijohen të thuash të gjitha pengesat e ashtuquajtura shpirtërore, të quajtur pengesa, për shkak se janë rrjedhë normale e proceseve shpirtërore, kurse te agorafobia sundimi i vullnetshëm i nervave është i shkatërruar, përkatësisht i prishur. Në këtë mënyrë krijohen: të skuqurit nga sëmundja, frika nga ndriçimi i llambës, belbëzimi nga nervozizmi, anomalitë seksuale nervore, llojet e ndryshme të shtangimit dhe një grumbull i tërë i përfytyrimeve të dhunshme dhe i brengave shpirtërore, pjesërisht edhe sëmundjet e drejtpërdrejta organike dhe shumë gjëra të tjera. Njeriu ç’është e drejta, nuk di gjë fare mbi gjithë këtë që krijohet vetëm dhe përfundimisht me anë të përfytyrimeve përkatëse. Me të drejt mund të thuhet se një pjesë e madhe e veseve dhe e të metave njerëzore, prandaj edhe burimi i të gjitha fatkeqësive, siç kam theksuar që në fillim të këtij kreu, rrjedh vetëm nga shkaqet shpirtërore.
Porse, ashtu sikurse mendimi negativ krijon pengesa, sëmundje dhe brengosje, ashtu edhe mendimi pozitiv, të kundërtën, krijon shëndetin, lumturinë dhe suksesin po t’i shkoj ndoresh që ai ta mbisundojë trupin në vend të mendimit negativ që pengon dhe çrregullon.

Vëmendja u jep shpirt mendimeve

Me rastin e koncentrimit të mendimeve, krijues i përfytyrimeve është vullneti. Ai e tërheq vëmendjen nga përfytyrimi i dëshiruar dhe e ngjall, do të thotë në mënyrë të fortë dhe të fuqishme e grish të manifestohet. Nëse vullneti ndonjë përfytyrimi i kushton më shumë vëmendje, vëmendja është mjet që i ngjall përfytyrimet. Në këtë mënyrë të gjitha përfytyrimet e tjera, sikundër edhe përfytyrimi që është fare i kundërt me këtë për të cilin është fjala, bëhen sipas nevoje, të vogla dhe të dobëta, derisa të mos treten fare, sepse nuk fitojnë më kurrfarë substance tjetër shpirtërore.
Siç e shihni, vëmendja gjatë koncentrimit gjendet në duart e vullnetit: po, megjithatë, vetëm në ato sfera të jetës sonë organike dhe shpirtërore, ku vullneti mund të thotë diçka. Nëse pushteti i tij është shkatërruar tërësisht, sikundër, ta zëmë, me ndjenjat të mbisundojnë tërësisht përfytyrimet negative, apo të paktën i përjashtuar, sikur, ta zëmë, me rastin e ndonjë ndikimi të fortë të jashtëm (sugjestioni i jashtëm), atëherë kuptohet nuk mund të krijohen përfytyrime të forta të kundërta, sepse vëmendja gjendet në shërbim të fuqisë tjetër (të frikës, drojës, pasionit). Po, megjithatë, vullneti do të arrijë edhe atëherë t’i sigurojë vetes mbisundim, porse jo me anë të aksionit të drejtpërdrejtë, por të tërthortë. Siç kam thënë, përfytyrimet krijohen edhe përmes ndikimit të jashtëm. Nëse vullneti qëndron në mënyrë neutrale ndaj ndikimeve të botës së jashtme, ose nëse nuk i pranon ato, atëherë përfytyrimet që krijohen në këtë mënyrë qarkullojnë në ndërdije. Nëse presioni i shqisave ndodh një kohë të gjatë, nëse ai, pos kësaj, është i fort sa duhet, shfaqen përfytyrime aq të fuqishme sa lehtë evitojnë çdo përfytyrim të kundërta dhe mund të mbisundojnë trupin. Ky është rezultat i sugjestionit. Nëse presioni i shqisave është shkaktuar nën ndikimin e fjalëve të shqiptuara, fjala është për suflirimin.
Nëse punoni më shumë dhe kuptoni këtë mësim mbi mendimet, atëherë edhe zotërimi me të gjitha fuqitë shpirtërore bëhet vetvetiu më i lehtë dhe më i qartë. Për këtë shkak të mos jua merr mendja fare se edhe pa teori mund t‘ia dilni kësaj pune; e sidomos nuk bën të mendoni se dini çdo gjë që ka të bëjë me proceset shoqërore. Nëse mendoni drejt për shkencën mbi sugjestionin, nëse e studioni dhe e kuptoni drejt e mirë, do të shihni se njohuritë tuaja dallohen qenësisht nga njohuritë që i kemi shtruar këtu. Me anë të studimit dëshmitë dalin vetvetiu.



Sugjestioni duhet të jetë i qartë dhe i kuptueshëm

Nëse për ligjërimet e mia të deritashme keni menduar mjaft, keni parë se disa sugjestione mund të realizohen vetëm atëherë, do të thotë mund të ndikojnë në trup, nëse përfytyrimet që janë shkaktuar në atë mënyrë i mbisundojnë ndjenjat. Që të arrihet kjo gjë, sugjestioni, kuptohet, duhet të jetë absolutisht i qartë dhe i kuptueshëm. Nëse këtu është fjala për suflirimin që përmendem më parë, do të thotë ndikimi i bërë me anë të të folurit, ky është i detyruar në vete të bashkojë të gjitha ato fjalë të cilat me anë të veprimit të vet të përbashkët dhe me anë të theksimit të vet krijojnë vetëm një figurë të vetëdijes (përfytyrimin), madje atë figurë të cilën ne e dëshirojmë.
Nëse është fjala pra për atë që me anë të sugjestionit të formohet ndonjë përfytyrim, që duhet t’i kundërvihet ndonjë tjetri, ndonjë përfytyrim negativ, atëherë duhet të formohet në atë mënyrë që në vetëdije të shkaktojë figurë absolutisht pozitive, do të thotë në kundërshtim me atë që tashmë gjendet aty. Porse sugjestioni nuk bënë fare të jetë i hamendshëm, ai duhet të jetë i çliruar nga çfarëdo dyshimi.
Përfytyrimi që krijohet me ndihmën e sugjestionit të bërë në mënyrë të drejtë, na dëshmon për atë që do të ndodhë si fakt, edhe jo vetëm si gjë e mundshme.
Ndërkaq, nëse këtu përzihet edhe dyshimi, sado i vogël që të jetë ai, edhe vetë realizimi vihet në dyshim, ose të paktën do të vështirësohet shumë.
Lloji i parë dhe kryesor i sugjestionit, të cilin njeriu i suksesit duhet ta njohë dhe të cilin duhet ta zotërojë, është autosugjestioni i vetëdijshëm (ndikimi i vetëdijshëm ndaj vetes). Në thelb çdo lloj sugjestioni, prandaj edhe sugjestioni i jashtëm, bazohet në autosugjestion. Dallimi i vetëm qëndron në faktin se autosugjestionin e bën vetëm individi për të cilin është fjala, kurse sugjestioni i jashtëm bëhet nga ndonjë individ që rri anash, do të thotë nga sugjestionisti.

Autosugjestioni i vetëdijshëm

Gjëja më e rëndësishme është sugjestioni i vetëdijshëm. Atë mund ta bëjmë vetëm me mendime, atëherë para nesh është rasti i sugjestionit mental, ose, të paktën, mund ta bëjmë me ndihmën e suflirimit. Në rastet kur vullneti ende e ka pushtetin mbi përfytyrimet, zbatimi i sugjestionit meditativ në të shumtën është i mjaftueshëm.
Ndërmjet sugjestionit të menduar dhe suflirimit, të cilin gjatë kryerjes së ndikimit mbi të tjerët e njohim si sugjestion verbal, ç’është e drejta nuk ka kurrfarë dallimi, meqë mendimi zhvillohet në kuptim të figurave foljore. Të ndikimet të cilat njeriu i ushtron mbi veten në mendime, vëmendja rreth dukurisë që dëshirohet përqendrohet aq gjatë derisa të mos hetohet njëfarë bindjeje e brendshme, njëfarë besimi mbi atë që do të ndodhë. Ai besim ndodh vetvetiu, aq më parë nëse përfytyrimi, i shkaktuar me anë të koncentrimit të madh, bëhet më ekspresiv. Me anë të mendimit pra duhet të krijohet një përfytyrim fare i qartë, një figurë absolutisht përkatëse shpirtërore e asaj që dëshirohet. Në mënyrë që të arrihet kjo, njeriu e përdor fantazinë, e cila me ndihmën e transformimit të fuqisë dhe të forcës i vë në dispozicion të gjitha figurat e mendimeve të cilat dëshirojmë të shfaqen në vetëdije.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
xhemajl



Numri i postimeve : 42
Pikët : 117
Reputation : 1
Join date : 29/02/2012

MesazhTitulli: Re: Sistemi i suksesit   Mon May 21, 2012 8:49 pm

Gjëja që dëshirohet, pra duhet të supozohet. Në mënyrë sa më të fortë që të bëhet kjo, aq më i fortë bëhet përfytyrimi, i cili pastaj aq më shumë i mbisundon ndjenjat dhe në këtë mënyrë realizohet.
Të mos thuhet se është marrëzi t’ia supozosh vetes ta zëmë shëndetin, atëherë kur nuk e ke shëndetin; ose t’ia supozosh vetes se nuk ke dhembje atëherë kur dhembjet i ke aty. Kjo, ç’është e drejta, na duket e pakuptimit, po, megjithatë, mendimi, përkatësisht përfytyrimi: “dhembjet kanë pushuar, më nuk më dhemb askund”, do të bëjë që dhembjet të zvogëlohen, kuptohet po të supozojmë se përfytyrimi e ka forcën e duhur. Ju ka rënë të dëgjoni gjë ndonjëherë për fakirët? Me anë të fuqisë së imagjinatës, do të thotë me anë të sugjestionit, shumë prej tyre arrijnë të bëhen krejt të pandjeshëm. Kur njeriu i paudhëzuar i vështron eksperimentet e tyre, ta zëmë shpërthimin e muskujve të tyre me shpatë, atëherë mendon se përjeton një mrekulli të vërtetë. Ndërkaq çdo gjë aty është fare e natyrshme dhe e kuptueshme dhe atë që e bën fakiri, mund ta bëjë kushdo që përdor autosugjestionin dhe e shfrytëzon fuqinë e tij.
Dukurit e këtij lloji janë fare të thjeshta: dhembjen ta zëmë e ndiejmë vetëm atëherë kur me anë të përfytyrimeve arrin në vetëdijen tonë. E kjo gjë mund të ndodhë vetëm nëse ai përfytyrim e tërheq vëmendjen tonë. Ndërkaq, nëse nuk është fjala për një rast të tillë, atëherë nuk e ndiejmë as dhembjen. Pra, nëse supozojmë se vërtet nuk ndiejmë kurrfarë dhembjeje, atëherë edhe përfytyrimi për mosekzistimin e dhembjes kuptohet se vjen në radhë të parë në mendimin tonë, prandaj për këtë shkak edhe presioni i shqisave (ndjenjat e dhembjes), i shkaktuar nga të therurat e trupit, nuk arrin të depërtojë në vetëdije, sepse vëmendja është kthyer në anën tjetër.
Se kjo vërtet është kështu, do ta keni provuar tashmë vetë disa herë. A s’ju ka ndodhur ndonjëherë deri më tashti të lëndoheni dhe këtë të mos e keni hetuar? Këtë gjë do ta keni vërejtur vetëm pas disa javësh. Kjo ndodh njësoj sikur me fakirin, përpos që vëmendja juaj nuk është larguar me anë të përfytyrimit mbi mosekzistimin e dhembjes, por me gjëra të tjera.
Kush nuk mësohet të kuptoj pse ndonjë autosugjestion thjesht duhet të veprojë, pse ndjenja është më e fuqishme se vullneti, pse mu me ndihmën e qëndrimit pasiv zhduket nga vetëdija ajo që është negative, ai kurrë nuk do të arrijë të bëjë me sukses autosugjestionin. Qenësore është çështja e njohurisë. Kur të jetë zgjidhur ajo, atëherë të gjitha të tjerat s’janë asgjë tjetër, pos një lojë dhe zbavitje fëmijësh.
Ashtu siç vepron fuqia e mendimeve në mbretërinë e funksioneve organike, po ashtu ajo pengon dhe ndihmon në fushën e shpirtërores. Nëse më detyron përfytyrimi se kam kujtesë të dobët, vështirë se do të më mbetet gjë në kujtesë; nëse konsideroj se ndonjë punë mendore nuk do të mund ta bëj, atëherë do të ndodhë ajo gjë etj. Ndërkaq, përfytyrimet tjera do të veprojnë krejtësisht ndryshe: ato do të shtojnë aftësitë për punë, do ta rrisin forcën dhe mundësinë e njeriut. E meqë mu kjo e fundit ka rëndësi tejet të madhe për arritjen e suksesit, dy herë më shumë është e nevojshme të bëhet autosugjestioni i vetëdijshëm. Meqë në mendime njeriu bën ndikim në vetveten, të manifestuar në mendime, shfrytëzojeni fantazinë dhe supozoni fort se ajo që dëshironi do të përmbushet. Mos harroni: Sugjestionit duhet t’i besoni plotësisht, ai duhet të jetë i qartë dhe i kuptueshëm. Përherë ta keni ndër mend se sugjestioni do të realizohet gjithmonë në përputhje me përmbajtjen.

Ngritja dhe forcimi i vetëbesimit

Në mënyrë që me anë të ndikimit në vetvete të rritet dhe të forcohet në radhë të parë vetëbesimi, kërkohet ta vështrosh veten shpesh në pasqyrë. Me këtë rast duhet ta vështrosh drejt në sy dhe vëmendjen tënde ta përqendrosh në përfytyrimin: “Unë jam njeri i cili ka besim në vete!”. Kuptohet se me këtë rast nuk bën ta varësh hundën, por duhet të kesh shprehje fytyre të një njeriu fare stabil dhe të sigurt. Sugjestioni i tillë që ushtrohet çdo ditë ka vlerë të pazëvendësueshme. Ai edhe frikacakun më të madh, për një kohë të shkurtër, e bën të ndryshojë, e sidomos atëherë kur thëniet e vete i argumenton edhe me dëshmi. Për këtë qëllim jua përkujtoj programin, planin dhe vendimet të cilat i merrni për çdo ditë dhe të cilat në rast të realizimit dhe të plotësimit, bëjnë që ideja e vetëbesimit të mbisundojë njeriun me sovranitet.



Autosugjestioni i të folurit

E tash nja dy-ti fjalë për ata lexues të mi të cilët i brengos ndjenja se vullneti i tyre është fare i pafuqishëm për të luftuar kundër ndikimeve negative. Në rast të tillë duhet të bëhet sulfrimi, do të thotë të ushtrohet ndikimi me anë të fjalës së shqiptuar. Me këtë rast aksioni i drejtpërdrejtë i vullnetit, siç kam theksuar më parë, të drejton kundër shkatërruesit të harmonisë jetësore. Po ajo gjë që te mënyrat e përmendura më parë të sugjestionit vetëm mendohet, këtu ndërkaq shqiptohet, ç’është e drejta jo aq zëshëm, por megjithatë aq sa për t’u dëgjuar qartë me veshët e tu. Ajo që duhet të ndodh duhet të formulohet shkurt, madje sipas parimeve, të cilat tashmë janë theksuar dhe përcaktuar. Formula duhet të jetë kështu e shkruar dhe e prerë. Gjatë ditës duhet të shqiptohet disa herë duke pasur besim të madh në veprimin e saj. Në këtë rast ka rëndësi edhe rrethana se duhet të nisemi nga pikëpamjet e vetëkuptimit, sepse kjo zërin e bën fort të bindshëm, kurse edhe vetë përfytyrimet, të cilat krijohen më këtë rast, bëhen edhe më të forta.
Për çdo dëshirë, për çdo gjendje shpirtërore gjendet lehtë formula përkatëse. Si e do nevoja, në të njëjtën kohë sipas mundësisë merret vetëm një. Ndërkaq, nëse njeriu lëngon nga një sërë sëmundjesh dhe të metash, do të përdorë atë formulë që i përfshin të gjitha. Ta zëmë: “Nervat e mi janë të qetë dhe nuk kam asnjë brengë” etj. Me rastin e autosugjestionit është mirë që njeriu të jetë vetëm; me rastin e shqiptimit të ndonjë fjale duhet të merrni frymë thellë dhe ngadalë. Edhe gjatë autosugjestionit, të zbatuarit sistematik dhe të rregullt ka rëndësi tejet të madhe: për këtë shkak duhet të caktohet kohe e saktë kur do të ndikosh në vete; momenti më efikas është në mëngjes dhe në mesditë, e përpos kësaj edhe në mbrëmje pak para gjumit. Formula e caktuar pastaj duhet të shqiptohet me temp të shpejtuar 20-25 herë.
Shqiptimi i pandërprerë në mënyrë të lirë i formulës sugjestive ka rëndësi tejet të madhe, sepse në këtë mënyrë kurrnjë mendim tjetër nuk do të jetë në gjendje të tërheq vëmendjen nga ndonjë objekt tjetër. Nëse ta zëmë formulën sugjestive e shqiptojmë tejet shpejt, me shpejtësinë me të madhe, atëherë aty kurrfarë mendimi tjetër nuk mund të përzihet dhe në këtë mënyrë, mendimi që shqiptohet, bëhet më i fortë dhe më aktiv. Se mendimi i shqiptuar drejt mbisundon përherë mbi ne, mund të vërehet lehtë edhe vetë. lëshojeni krejtësisht të lirë dorën tuaj të djathtë pa e shtrënguar me këtë rast asnjë muskul, dhe ashtu të lirë lëreni të varur për trup, e pastaj shqiptojeni mendimin tjetër pa e ndërprerë asnjë pjesë të sekondës: “Nuk mund ta ngris dorën, nuk mund ta ngris dorën” etj. etj. Tashti kur e përsëritni se nuk mund ta ngritni dorën, përpiquni që, megjithatë, ta ngritni, do të shihni se e keni kot, dhe nëse përpiqeni edhe disa fish më shumë. Ndërkaq, nëse përkrye të gjithave, megjithatë, e ngritni dorën do të thotë se mendimin nuk e keni shqiptuar drejt dhe shpejt sa duhet dhe për këtë shkak ka dominuar më shumë mendimi i kundërt.
Njeriu përherë mund të bëjë vetëm atë gjë që momentalisht ia sugjeron përfytyrimi më i fortë. Dhe për këtë kur më thoni se jeni në gjendje edhe të ecni dhe të qëndroni dhe t’i bëni edhe një mijë punë të tjera, e që me këtë rast përfytyrimi përkatës të mos ju shfaqet në vetëdije, sërish do t’jua përkujtoj ndërdijen, ku krijohen dhe nga ku dalin përfytyrime mbi çdo gjë që “mund ta bëni” ju.
Me këtë, lexues të nderuar, e përfundoj kreun në të cilin u njoftuam me nxitësin shpirtëror të suksesit. Kur të dimë se si përdoret autosugjestioni, do ta kemi në dorë mjetin më të fuqishëm për të arritur suksesin personal. Nëse këtë mjet do të dimë ta përdorim me vetëdije dhe racionalisht, duke u bazuar mbi gjithë atë që kemi thënë më parë, sukseset e shumanshme që do t’i arrini me këtë rast do të na ngazëllojnë edhe rrethin tonë.

MENDONI POZITIVISHT!

Mendimet janë forcë e cila vë në lëvizje edhe qiellin edhe tokën.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Sponsored content




MesazhTitulli: Re: Sistemi i suksesit   

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Sistemi i suksesit
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
 :: OKULTIZEM :: S P I R I T U A L I T E T-
Kërce tek: