PortaliForumPytësoriRegjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 Biseda e Luterit me djallin në Vartburg

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
Gon!
Admin
Admin
avatar

Numri i postimeve : 666
Pikët : 2267
Reputation : 85
Join date : 16/02/2012
Mosha : 30

MesazhTitulli: Biseda e Luterit me djallin në Vartburg   Thu Mar 01, 2012 9:58 pm

Biseda e Luterit me djallin në Vartburg, më 1521

Dhe ç'do ti, derr i zgjebosur? Pse ke ardhur? T'më frikosh?


Nuk të frikohem, aq më bën për ty, si për bajgën e lopës në lëmën e princit. A ndoshta do të më sprovosh, ë? Në mëkat të më ndjellësh, në vesh të më pëshpërisësh, natyrën epshore të ma trazosh, ë?

Do të dëshiroje ashtu të më akordoje që të flakareshoja djaloshin, të dehesha si derri, ta dhunoja çupëzën fermere, e çka jo tjetër? Mirë, e nëse i bëj tëra këto?

Padyshim do të mendosh se veç më ke në putrat leshatuke, vetëm edhe litarin në qafë, dhe për toke. Ehej, mos është pak shpejt, nuk je ti petrit, e unë zog. Mundem unë të mëkatoj edhe pa ty, krejt çka të ma kënda, do ta bëj edhe pa nxitjen tënde, o kafshë e neveritshme, e po!

Do të mëkatoj edhe pa ty, dhe ç'ke për të më bërë? Zoti ynë për mëkate të tilla as gishtin s'e luan. Oh, po t'ia arrije të më dëshpëroje, po të më urdhëroje të dyshoja në Perëndinë, me frikë të më mbushje, do të më turpëroje - atëherë, e pranoj, ti do të ishe në kalë, do të më kishe si brinjëz në pjatë.

Por provo, vetëm provo, o urith, që mua, doktor Luterin, doktor Martin Luterin, provo ashtu të më përpunosh, që të më rrëmbejë dëshpërimi, apo frika, apo turpi. Zoti është kështjellë e fuqishme. Unë jam strehuar në atë kështjellë dhe rri i qetë, bën ç'të duash, e sa kam mëkatuar!

Po të më përqeshësh mua, do ta përqeshësh Zotin, që të dy do të qeshemi, dhe pikë. Unë jam në Zotin, me këmbë jam pingulur, a po kupton, nuk mund të më luash nga vendi. Ik, largohu, ç'dëshiron? Ç'kërkon? S'je këtu i nevojshëm, nuk ke këtu asgjë, mund të xhezdisësh dhe gjer në fund të botës, ik, ç'pret? Mos humb kohën, po të them, shkoju të dobtëve, doktor Luteri nuk është për ty, e ke gabuar rrugën, ik kur të them!

Këtu je? Shikon dhe asgjë nuk flet, ë? Je nemitur? Heshtën, ndoshta me heshtje do të më ngadhënjesh, por kot, di edhe unë të hesht, më mirë se ti, por vetëm kur dua, e natyrisht, tani nuk dua. E ti shikon dhe hesht, shikon dhe hesht.

Ç'është? Je shndërruar në peshk? Në statujë? Shporru gjersa nuk jam hidhëruar. E di ç'do të dëshiroje, pret të hidhërohem, mendon se mllefi im te Zoti do të shkruhet mëkat. Më vjen të qeshi me këtë marrëzi, vallë nuk e di ti se mllefi fisnik në djallin në gjyq shndërrohet në flori.

Përndryshe, nëse aq shumë ke dëshirë, mund edhe të bisedojmë, pse jo, mua kjo edhe ashtu nuk mund të më pengojë, flas me kë dua, mundem me Zotin, mundem me djallin, veçse nuk di se çfarë me ty të bisedoj.

A i sheh këto fletë mbi tavolinë? A di, vallë, o i verbër, ç'janë këto? Libri, libri i shenjtë, mbrojtja jonë nga çuçuritja jote, nga gjithë marrëzia jote, ja, shiko, aha, e di se çka do të doje! Ti e di se tash tërë populli do ta lexojë Biblën, dhe kësaj i frikohesh, ë?

Urrejtja të ka kapluar, tërbimi, de, thuajmë, o hundëkrrut, çka do të ndodhë tash? Posi, secili do ta lexojë, secili do ta njeh të vërtetën, madje edhe argati, që di të rrokëzojë, do të di çdo gjë, e ti?

Ku do të futesh ti me gënjeshtrat, me herezinë tënde, ë? Kjo të pengon, të kuptoj, këtu të dhemb, faqezi, këtu do të doje të bëje diç, të frenosh, të pengosh njerëzit në pranimin e shkronjave të Zotit?

Por mua nuk do të më frikosh, do të ketë shkrime të shenjta për popull, për të gjithë, nëse do pëlcit nga tërbimi, por libri i shenjtë do të jetë...
"Ati ynë që je në qiell, le të kremtohet emri Yt..."

E çka? Nuk po ikën? E në shenjën e kryqit? Agape! Akoma asgjë? Mirë, por në lukth të ka djegur, mos thuaj se jo, veç mezi po duron, turirin e mban të palëvizshëm, e pranoj, por ky kryq ta kallë barkun, ë? Por jo, prej doktor Luterit mos prit mëshirë, ai nuk ka për njerëz, pa le më për ty, o at i shtrigave.

Po ma shton mërzinë, a po dëgjon? M'i ngulë e m'i ngulë sytë, thua dëshiron në shpirt të më depërtosh e të gjesh atje kushdi se çka. Ti të gjesh diçka?! Zotin - patjetër, ai depërton me shikim gjer në fund, edhe mendimin më të fshehtë e sheh si kështjellë në mes të ditës, gjakimet më të fshehta mëkatare, çdo poshtërsi, çdo ëndje të ndyrë e hulumton, për Të nuk ka fshehtësi. E çka ti?

Memzi e hedh shikimin mbi sipërfaqen e shpirtit, i vëren mëkatet më të ashpëra dhe mendon se je i mençur? A mendon ashtu, thuajmë pra! Paj bukur, shiko, unë edhe Zotit i lejoj të shikojë, le të shohë, ju lutem, çdo gjë është në sipërfaqe.

Mëkatet? E çka, nëse edhe mëkatet, mos vallë jam shenjtor? Nuk jam shenjtor, mëkatar jam, a do më? Mëkatar dhe mëkatar - këtu është dallimi, të thash edhe më parë, Zoti nuk lodhet për ato mëkate, por për atë që është e rëndësishme, në shpirt, kurse ajo është në mua e pastër si mbulesë e larë mbi tavolinë.

Ç'do të dëshiroje, çka, në të vërtetë, sheh atje, ç'i zgurdullon ata sy? Pangopësi, thua, dehje? Posi! Përse e kemi trupin, e ç'është trupi nëse nuk arnohet me mëkatin? Mëkatoj me trup, i shërbej të ngopurit, ç'të bëj? Shpirti dëshiron, por trupi ligësht.

Gjakimi udhëton? Por vetëm në mendime, në shpirt, por jo në vepër; gjithsesi, kushdo që të shikojë gruan - dhe ai mëkat është etj. - Mateu, kreu i pestë, vargu i njëzet e tetë - do të thotë mëkat është, por ç't'i bësh, barku i shpirtit nuk dëgjon, e çka pastaj të thuhet për atë që është nën bark?

Mburravecësia! O jo! Tani veç u bë mjaft, tani veç po e tepron, o shpirt, atë nuk do ta gjesh në mua as ti, as Zoti im. Krekosje në mua s'ka, as gjurmë të saj, as për një grosh; përvujtni, përvujtni dhe vetëm përvujtni. Krejt çka bëj, nuk e bëj sipas vullnetit tim, por sipas dëshirës së Zotit, krejt çka mundem, Zoti ka bërë që të mundem.

Unë vetë nuk jam asgjë, unë jam pluhur, por në Zotin jam çdo gjë, Zotit i shërbej, të vërtetën e Zotit e shpalli jo sipas fuqisë sime, jo sipas urtisë sime, por sipas asaj të Zotit. Përvujtni! Gjersa nuk bëheni si fëmijët e vegjël etj. - Marku, kreu i dhjetë - kjo është e fshehta e perandorisë së Perëndisë!

E di unë të vërtetën, po ajo nuk është e vërteta ime, por e Zotit, nuk e kam marë unë nga vetja, asgjë sipas vetes nuk gjykoj, fuqia e Zotit është në mua e urtë, nga ajo është njohja ime, nga ajo është urtësia ime, dhe ku është këtu mburrja? Mburravecësi nuk ka në mua, as një thërrimë!
Dembelia! Për atë më as nuk po flet, ë?

Do të turpëroheshe madje edhe ti, gënjeshtar i paturp, të flisje para meje për dembelinë. Por nuk vlen as të flasësh. Lakmi? Duhet të jesh i krisur në kokë, gënjeshtar i vjetër, kujt unë t'i kem lakmi dhe përse? Kam çdo gjë, a kupton, e kam Zotin, dhe çka më duhet tjetër?

Ndoshta ty duhet të të kem lakmi, por për çka? Për shkathtësitë magjistare, për fuqinë e mbrapështisë, për fuqinë e frikësimit, të mashtrimit, të sprovimit? Kjo do të ishte si, duke jetuar në qiell, t'i lakmoja ferrit. Marroç je ti, kot fjalosemi, mjaft!

Ja, koka më dhemb prej fjalëve tua, prej marrëzive tua. Më mirë të shkoj të flej, mjaft punova për sot, tërë ditën në tavolinë, dhe përse e tëra kjo? E qartë, krejt kjo kundër teje, dhe ç'ke me të?

Çdo gjë është kthyer kundër teje, për t'i marrur ato të mbeturat e njerëzve që prore i mban në putrat tua. Përhidhu, pështyj, hidhi dredhitë, o kafshë e zezë, por Zoti, me dorën time, pëllëmbë për pëllëmbë, trollin ka për ta marë, dhe ashtu duhet! Jo në tokë, o jo, atje sundo, do ta kesh botën që të jetë e jotja, mundesh në lëkurë kunadheje të vishesh dhe kurorën ta vësh, mundesh në të gjitha fronet të qëndrosh, edhe në të papës, por para dyerve të Perandorisë Hyjnore do të ngicatësh si langoi në acar, dhe nuk kanë për t'u hapur.

Thua se nuk dëshiron? S"dëshiron sepse nuk mundesh, ja pse nuk do. E pse nuk mundesh? Sepse nuk dëshiron, për Zotin. Nuk dëshiron, se nuk mundesh, e nuk mundesh se nuk dëshiron. Kështu kam thënë?

Dhe kjo është e vërtetë. Njëherë kur do të dëshiroje, do të hyje, por ti nuk mund të dëshirosh, ti duhet të duash që në ujin tënd të lahesh, të tubosh fatkeqësitë, të mundohesh e dhëmbët nga tërbimi t'i kërcëllosh, e me këtë nga ai e nga ajo kërcëllitje e dhëmbëve nuk mund të dëshirosh të dalësh, meqë kjo do të thoshte se në ty ka mbetur pjesë e së mirës, se mund të mendosh akoma për shpëtimin, por hamamin!

Do të thotë, në mundim jeton dhe mundimin tënd e dëshiron, por ai mbetet mundim, dhe ti e di se në mundime qëndrueshmërisht mbetesh dhe, përkundër natyrës, mundimin tënd dëshiron ta shumëzosh. Çudi mbi çudirat është kjo, por Krijuesi mund të bëjë dhe çudi më të mëdha!

Dhe mirë. Ç'i zgurdullon sytë ashtu? Se fatin tënd ta përkujtova? Eh, e mban ti mend mirë fatin tënd, e mban mend, as për një çast nuk mund ta harrosh, prandaj mu për këtë dhe përdridhesh, dyzohesh e trezohesh duke i tërhequr shpirtërat kah vetja vetëm që më shumë mundime të ketë në këtë botë, vetëm që vetë të mos mbeteshe me llahtarinë tënde, me arkivolin e zi të vdekjes, ku për shekuj të shekujve ke për t'u kalbur. I mjerë je ti, por kjo është sipas drejtësisë!

"Bukën tonë të përditshme..."

Krejt ç'ke është ajo se s'di ç'është frika. Patjetër, meqë në vdekjen jeton, dhe kur shpresa nuk ke, atëherë as frikë nuk ke. Kush me shpresën jeton, duhet dhe me frikën të jetojë, e ti, i mallkuar pa shpëtim, nuk i frikohesh asgjëje.

Do të thotë, me këtë dëshiron të më habisësh? Çka për frikën se njeh? Që jeton në siguri? E unë? Eh, jetoj dhe unë në siguri, ti këtë e di, apo jo?
Njëherë e përgjithmonë nga dëshira kam hequr dorë, në bujtinën e përjetshme dorëzuar i jam Zotit, për frikë nuk di, meqë drejtësia ime s'është imja, veç e Krishtit, mundem çdo gjë dhe asgjë s'më duket e tmerrshme, nuk jetoj në vete, sepse të jetosh në vete do të thotë pushtetit tënd t'i nënshtrohesh, kurse të jetosh në Zotin, do të thotë të heqësh dorë nga vetja.

Thashë - më ke, o Zot - thashë, më ke me të gjitha që kam, bën ç'të duash dhe ajo përherë do të jetë e urtë dhe e mirë. Më shumë nuk më duhet, ama asgjë, kurse mbetja është jotja, o sfidues, merr ç'të duash, virtytet apo veset, urtësinë apo marrëzinë, drejtësinë apo padrejtësinë, t'i jap të gjitha.

Shiko vetëm si ti sundon? Çkado të dëshirosh mund të kesh, përpos njërit. Po kërkove tërë botën ta kesh, pasurinë, pushtetin, qytetet, shtetet, mbretëritë? I ke në çast. Dëshiron me mëkatin të sundosh? E ke. Dëshiron me virtytin të sundosh?

Dhe atë e ke, ke virtytet tua, erudicionin tënd, drejtësinë, ndershmërinë tënde, dhe mëshirimet tua - çdo gjë është jotja. Dhe çka akoma? Po ti do të dëshiroje edhe atë të vetmen, të vetmen gjë - e mu atë kurrën e kurrës nuk do të mund ta kesh. Vetëm një, madje edhe më i vogëli shpirt, kur me besim para Zotit qanë, në rrënojë tërë pallatin tënd e shndërron, asgjë nuk vlejnë qytetet dhe pasuritë tua, kotsëkoti veprat tua të mira e të këqia, kotsëkoti Babilonia dhe Roma.

Për atë shpirt të vetëm që në besim është shkrirë si dyll par imazhit të Perëndisë, vetëm për atë ti do të jepje rruzullin tokësor dhe dielin dhe yjet. E atë s'e ke, e nuk do ta kesh.

Por ç'po flas dhe unë kur edhe ashtu e di? Ndoshta sa për ta harxhuar kohën, e cila edhe ashtu më mungon për ta harxhuar në biseda të kota.
Këtë herë, të vetmen herë, nëse do, mund të bëjmë marrëveshje me ty. Një kontratë, në ditë, në orë, a dëshiron?

Për sot do ta shtyj punën në Bibël - dhe veç ke dobi, meqë kur libri i shenjtë një ditë më vonë del nga shtypi, pa dyshim, së paku një shpirt i vetëm nuk do të ketë mundësi të shpëtojë, dhe ti je në dobi. Do ta kesh pagën. E për veti, unë vetëm një e kërkoj nga ti.

Për një orë, ma trego banesën tënde, por me tëra ato që ka ajo. Që atje të shoh papën të fundosur gjer në qafë në sulfurin përcëllues, prelatët romakë t'i shoh në hellë si egërsira, poetët tu dyfytyrësh, fisin tënd, të mbuluar me akullin e përjetshëm; këto vetëm kam dëshirë t'i shoh, syrin ta ngopi. Do të m'i tregosh?

Për ty kjo s'është asgjë, asgjë s'të pengon, kurse dobinë e ke të siguruar, një shpirt shkaku i vonesës së librit të shenjtë do të shkatërrohet sigurisht. Por në aq shpirtëra sa tani Zotit do t'i ofrohen kjo s'është asgjë - e për ty kjo është shumë. Ç'thua? A vlen marrëveshja?

Nuk do? Asgjë nuk po flet, o leckë, po heshtë dhe asgjë më tepër? Po ani, mirë, nëse nuk do - nuk do, nuk do të t'lus. Kurse tani shporru, menjëherë, mjaft u bë, flas në të zbrazët, kurse koha fluturon...
Posi, kësaj here ke triumfuar. Për një moment, aq sa vetëtima vetëton, por triumfove.



Dëshirova me fuqinë time të të përzë, me vullnetin e sfiduesit njerëzor të të dëboj, dhe veçse do të besoja se forca njerëzore mund të luftojë me Satanën. Por më tregoi Zoti im pafuqinë time, maledictus qui confidit in homine, përulmë, o Zot, gratias aeternas, mëkati im. Rri aty, demon, në qortimin tim...

Pooo... Në ne e ke rrënjën e ferrit, et est radix inferni in nobis. Dhe vërtet, e lehtë është puna jote, o shëmtak, tejet e lehtë, vetëm me dritë rrugën e zbrazur ta ndriçosh dhe me gisht të bësh.

E ti, o njeri, vetëm këmbën ngrite, vetëm hapin çoje përpara sipas dëshirës tënde, dhe veçse ndodhesh në shtegun satanait, veçse fluturon drejt teposhtëzës si topi, dhe veç, plotësisht i pavetëdijshëm, në portat e Luciferit troket.

Po, bukur e ke ti, të gjuash shpirtëra, punë e madhe. Kështu Zoti botën e ka rregulluar. E pse? Oh, o pyetje marroçe - të pyesësh - kjo do të thotë të lëshosh pe para kërshërisë njerëzore, ta ngacmosh arsyen e prishur, djallin ta lutësh për ndihmë. Me urtësi Zoti e ka bërë dhe fundin, nuk pyesmi përse? Libri i shenjtë thotë: Cuncta valde bona, valde bona.
Siç edhe ne falmi... Peccavi, peccavi. Gabuar kam...

Dhe çka tash, asgjë nuk mundem, duhet kështu të të baj gjithë derisa Zoti nuk dëshiron të të dëbojë nga ky vend?

Mëshiromë, o Zot! Mos u bëftë dëshira ime, veç jotja. Largoje nga këtu këtë kafshë të urryer, këtë kufomëngrënës të zi, ma largo këtë llupës kërmash, por mos të jetë vullneti im, veç Yti.

Pluhur e frikë, pluhur e frikë. Grushti im është i pafuqishëm si gjemb i fishkur, e kur Ti e ngrit, do të mbledh forca dhe do të bëhet si hobeja e Davidit.

Ti ke për ta ngritur, o Zot, po e ndjej se dëshiron këtë, do ta përzësh me grushtin tim të pafuqishëm sunduesin më të madh të botës,ja ku është, po shtrëngohet në grusht, shishja me ngjyrën, po ani, le ta njollosë e zeza turirin e urtë të sfiduesit, le t'ia tregojë urrejtjen tënde. Me dorën time, me dorën time...

Ja ku e ke, o derr i ndyrë, shporru!

- ..... -

Hej, shërbëtorë, a është kush atje? Shërbëtorë, këndej! Pasqyra, pasqyra e thyer!

Leshek Kollakovski
Perktheu:Hasan Hamëzbala
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://explorerkosova.the-up.com
 
Biseda e Luterit me djallin në Vartburg
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
 ::  E N T I T E T E-
Kërce tek: